Kryeinspektori

Vjollca Braho

 

Znj. Vjollca Braho është lindur në Tiranë më 24 shkurt 1965 dhe ka përfunduar  studimet e larta për Financë në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës në vitin 1987 dhe ka më shumë se 34 vite përvojë pune. Znj. Braho ka Master Shkencor në Financë nga Universiteti Marin Barleti, Tiranë dhe titujt profesional “Ekspert Kontabël i Rregjistruar” dhe “Kontabël i Miratuar” nga Ministria e Financave. Znj. Braho ka një  sërë kualifikimesh dhe Çertifikimesh profesionale nga institucione vendore dhe ndërkombëtare.

Në tetor 2016 znj. Braho u emërua Zëvendësministër në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Më herët znj. Braho ka qënë Drejtore e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Drejtore e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore. Znj. Braho ka punuar për një periudhë 15 vjeçare në kompaninë Albtelecom Sh. A. në pozicione të ndryshme, specialiste, kryetare e degës së kontabilitetit dhe për 8 vjet në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore Kulturore Sportive “Hamit Shijaku”, Tiranë.

Znj. Braho ka qënë anëtare e grupit të punës për hartimin e reformës së pensioneve në Shqipëri.

Znj. Braho është anëtare e Bordit të Administrimit të Radio Televizionit Publik Shqiptar.

Nga 1 shkurt 2019, Znj. Braho kryen detyrën e Kryeinspektores së Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, ISHSH. Në këtë detyrë Znj. Vjollca Braho është përgjegjëse për organizimin dhe koordinimin e funksionimit si dhe për cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së ISHSH në të gjitha qarqet e vendit. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e shëndetit publik.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, ISHSH, është institucioni kryesor i ngarkuar për zbatimin e masave të veçanta për parandalimin dhe luftimin e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, masa të cilat rrjedhin prej Ligjit 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” si dhe të gjitha Akteve Normative të Këshillit të Ministrave dhe Urdhrave të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.